(9) O besimtarë, kur të thirreni për lutje ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Perëndinë (namazi i xhumasë) dhe pezulloni shitblerjen; kjo është më mirë për ju, nëse e dini!
(10) E kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë dhe kërkoni nga begatitë e Perëndisë dhe përmendeni shumë Perëndinë, për të arritur shpëtimin.
(11) Mirëpo, kur ata shohin ndonjë tregti ose lojë, shkojnë tek ajo e të lënë ty të qëndrosh (vetëm). Thuaj: “Ajo që është te Perëndia – është më e mirë nga ahengu e nga tregtia”. – E Perëndia është furnizuesi më i mirë.
المنافقون Al-Munaafiqoon
(1) Kur të vijnë te ti hipokritët, ata thonë: “Ne dëshmojmë, se ti, me të vërtetë, je i dërguari i Perëndisë!” – E Perëndia e di, se ti, me siguri, je i dërguari i Tij, por Perëndia dëshmon edhe se hipokritët janë gënjeshtarë të qartë.
(2) Ata betimet e tyre i kanë bërë maskë, andaj i kanë penguar (njerëzit) prej rrugës së Perëndisë. – Me të vërtetë, është shëmtim, atë që kanë punuar!
(3) Kjo është ngase kanë besuar, pastaj kanë mohuar, e u vulosën zemrat e tyre, prandaj ata nuk kuptojnë.
(4) Kur i shikon ata, figura e tyre të mahnitë; e nëse flasin, dëgjon fjalët e tyre, - mirëpo, ata u gjasojnë trungjeve të mbështetura dhe mendojnë se çdo fjalë është kundër tyre. Ata janë armiq të vërtetë, andaj ruajuni prej tyre! – Perëndia i vraftë, si po shmangen prej së vërtetës?!