(87) Perëndia është një, i vetëm, - i pashoq. Ai me të vërtetë, do t’ju tubojë në Ditën e Kijametit. Për këtë nuk ka dyshim fare! E, kush është në fjalë më i drejtë se Perëndia?
(88) Përse ju u ndajtët në dy grupe për çështjen e hipokritëve, kur Perëndia për shkak të veprave të tyre, i rrokullisi ata në pabesim? A mos vallë, dëshironi t’i ktheni në rrugë të drejtë ata, të cilëve Perëndia ua ka humbur rrugën, e, atë që Perëndia e lë në humbje, ti nuk mund të gjesh rrugë të drejtë për të.
(89) Ata dëshirojnë që edhe ju të mos besoni, ashtu siç nuk besojnë as ata, e të bëheni të barabartë me ta. Kurrsesi mos u bëni shokë me ta, përderisa të mos bëjnë emigrim në rrugën e Perëndisë. E, nëse ata shmangen, arratisni e mbytni ata, kudo që t’i gjeni! Dhe mos zgjedhni nga ata as miq as ndihmëtarë,
(90) përpos atyre që janë strehuar te një popull me të cilin ju keni marrëveshje, ose atyre që kanë ardhë te ju, e u vjen rënd që të luftojnë kundër jush ose të luftojnë kundër popullit të vet. Sikur të kishte dashur Perëndia, do t’u kishte dhënë pushtet mbi ju, dhe ata do të luftonin kundër jush. Në qoftë se ata tërhiqen prej jush dhe nuk hyjnë në luftë kundër jush, e ju afrojnë paqe juve, atëherë për ju Perëndia nuk lë shtek që të luftoni kundër tyre.
(91) Ju do të hasni në njerëz të tjerë, të cilët dëshirojnë të sigurohen nga ju dhe nga kombi i vet. Sa herë që të thirren at në ngatërresa menjëherë rrokullisen në të. Në mos u shmangëshin ata prej jush dhe në mos ju ofrofshin paqe, dhe në mos heqshin dorë nga luftimi kundrë jush, atëherë arratisni e mbytni ata kudo që t’i gjeni! Këta janë ata, ndaj të cilëve ju kemi dhënë juve argument të qartë kundër tyre.