(15) Me të vërtetë, banorët e Sabës kanë pasur argument të madh në vendbanimin e tyre: dy kopshte në të djathtë dhe në të majtë të lumit. (E, u kemi thënë): “Hani nga ato që u ka furnizuar Zoti juaj dhe falenderohuni Atij! (Ky) është vis i mrekullueshëm, (e Zoti juaj) është Zot që falë shumë!”
(16) E, ata u shmangën (prej rrugës së drejtë) dhe Na ua dërguam vërshimën e Aremit, (duke e shkatërruar) pendën, dhe kopshtet e tyre ua zëvendësuam me kopshte të tjera, me frute të idhëta (lloj drunjësh) – tamariskë dhe pak lotusa (groshëza).
(17) Kështu ata i kemi dënuar për shkak të mohimit, e, a mos dënojmë Ne dikë, pos mohuesve (jomirënjohësve)?!
(18) Dhe Ne kemi bërë në mes tyre dhe vendbanimeve që i kemi bekuar, vendbanime të lidhura (dhe të rregulluara); dhe Ne e kemi caktuar nëpër to udhëtimin. (U kemi thënë): “Udhëtoni nëpër to – natë e ditë, të sigurtë!”
(19) E ata thanë: “O Zoti ynë, bëne më të madhe distancën në mes udhëtimeve tona”. Andaj, i bënë dëm vetes, dhe Ne i bëmë ata objekt për t’i marrë nëpër gojë, dhe ata plotësisht i kemi shpartalluar. Dhe, në këtë, ka argumente për çdo të durueshëm dhe falenderues.
(20) Me të vërtetë, Iblisi e realizoi paramendimin e tij për ta – dhe ata shkuan pas tij, pos një grup besimtarësh.
(21) Ai (Iblisi), nuk ka pasur kurrfarë pushteti mbi ta; Ne vetëm kemi dashur të zbulojmë se kush beson në jetën tjetër e kush dyshon në të. E, Zoti yt është mbikëqyrës i çdo gjëje.
(22) Thuaju (o Muhammed!): “Thirrni ata të cilët i konsideroni (zotëra), pos Perëndisë! Ata nuk knë pushtet as sa pesha e një thërmie – as në qiej as në Tokë; nuk ka për ta (idhujtarët) as në qiej as në Tokë ndonjë shok, dhe Perëndia – nga ata, nuk ka kurrfarë ndihmësi”.