(142) Disa njerëz mendjelehtë thonë: “Ç’i ktheu ata (muslimanët) prej kibles kah e cila ishin drejtuar?” Thuaju: “Të Perëndisë janë Lindja dhe Perëndimi. Ai e udhëzon kend të dojë e kend të dëshirojë në rrugën e drejtë, që cakton Ai”. –
(143) Gjithashtu (sikundër që ju kemi udhëzuar në rrugë të drejtë) ju kemi bërë popull të drejtë, që të bëheni dëshmitarë të njerëzve dhe që Pejgamberi të jetë dëshmitar i juaji. – Na nuk e kemi bërë obligim kthimin tënd kah Qabeja (o Muhammed!) për tjetër arsye, por vetëm për të parë se kush ndjekë rrugën dhe kush do të shkojë pas Pejgamberit e për t’i dalluar nga ata që kthehen nga thembrat, - ky ndryshim është i rëndë, por jo për ata që i ka drejtuar Zoti në rrugë të drejtë. E, se, Perëndia nuk ua humbë besimin tuaj (namazin që keni bërë kah Kudsi), se Perëndia, me të vërtetë, është fort i dhembshëm dhe mëshirues për njerëzit.
(144) Na të pamë ty që shikimin tënd e drejtoje kah qielli (duke u lutur për caktimin e kiblës) e Na me të vërtetë do të kthejmë ty kah ajo anë, që të kënaq ty. Prandaj, ktheje fytyrën tënde kah faltorja e shenjtë (Qabja)! Dhe kudo që të gjendeni kthenie fytyrën tuaj kah ajo anë! Padyshim, atyre që u është dërguar Libri (Teurati) e dinë se ai (drejtimi kah kibla) është i vërtetë, është prej Zotit të tyre, - se Perëndia nuk është i pakujdesshëm ndaj punëve që bëjnë njerëzit.
(145) Dhe sikur ti t’u sillje të gjitha dokumentet atyre, të cilëve u është dhënë Libri, ata prapëseprapë nuk do ta pranonin kiblën tënde, por edhe ti nuk do të pranosh kiblën e tyre dhe që askush nga ata nuk do të pranonte kiblën e njëri-tjetrit. – E nëse ti, pasi të është zbritur dijenia, të ndiqshe dëshirën e tyre, atëherë padyshim do të ishe nga ata që kanë kaluar kufirin.