(16) Thuaju atyre beduinëve që ngelën pas jush (e nuk erdhën): “Do të thirreni ju në luftë kundër një populli luftarak, përderisa të mos përulet (ose të bëhet musliman). E, nëse dëgjoni (thirrjen), Perëndia do t’u japë shpërblim të mirë, e nse shmangeni (refuzoni) ashtu siç jeni shmangur më parë, (Ai) do t’ju ndëshkojë me dënim të dhembshëm.
(17) Nuk është mëkat për të verbëtin, as për të çalin as të sëmurin (që të mugnojë nga ekspedita luftarake), e kush i përulet Perëndisë dhe Pejgamberit të Tij, Ai e shpie në xhenete, nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë, e atë që shmanget, do ta ndëshkojë me dënim të dhembshëm.
(18) Perëndia është i kënaqur me ata besimtar kur t’u betuan ty nën hijen e drurit. Ai (Perëndia), e ka ditur se ç’ka në zemrat e tyre, e u ka dhënë atyre qetësi (siguri), dhe i shpërbleu ata me fitoren e afërt,
(19) dhe me plaçkën (pasurinë e zënë në luftë) e madhe që do ta fitojnë. Perëndia është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.
(20) Perëndia u ka premtuar juve plaçkë të pasur që do ta fitoni, e ua shpejtoi këtë juve (Ai) dhe i pengoi duart e njerëzve (nga të dëmtuarit juve) – për të qenë ky argument për besimtarët (që premtimi i Perëndisë është i realizueshëm) dhe për t’u udhëzuar juve në rrugën e drejtë,
(21) dhe (ju ka premtuar) tjetrën (fitore), të cilën nuk keni qenë në gjendje ta fitoni, - por Perëndia, me dispozitën e Vet, e ka përmbledhë atë për ju, sepse, Perëndia është i pushtetshëm për çdo gjë.
(22) E, nëse mohuesit lëshohen në luftë kundër jush, ata, me siguri, do të iknin dhe pastaj nuk do të gjenin as mbrojtës as ndihmës –
(23) (Kjo është) dispozita e Perëndisë që ka qenë edhe më parë, e ti, kurrsesi, nuk mund të gjesh ndryshime në dispozitën e Perëndisë.