(16) E, ata që bëjnë polemikë me fenë e Perëndisë, pasi që i janë përgjegjur asaj (polemike), dokumentet e tyre janë të pavlefshme te Zoti i tyre; mbi ta do të bie pezmi (i Perëndisë) dhe për ta ka dënim të ashpër.
(17) Perëndia është Ai që e ka shpallur Librin, të vërtetën e paluhatshme dhe drejtësinë. E, kush të tregon ty, - ndoshta Dita e Kijametit është afër?!
(18) E nxitojnë (Çastin) ata që nuk besojnë në të, e ata që besojnë, druajnë nga ajo dhe dijnë se ajo është plotësisht e vërtetë. E, me të vërtetë, ata që polemizojnë për Ditëne Kijametit, janë në humbje të largët!
(19) Perëndia është i mirë ndaj robërve të Vet; Ai i jep furnizim kujt të dojë, dhe Ai është i Plotëfuqishëm dhe i Pushtetshëm.
(20) Ai që dëshiron shpërblim në jetën tjetër – Na do t’ia shtojmë atë (shpërblimin) e asaj vepre, e ai që dëshiron shpërblim në këtë jetë, atij do t’i japim (diçka) prej saj, por ai nuk do të ketë pjesë në jetën tjetër.
(21) Por ata, kanë shokë (udhëheqës të këqinj), të cilët u kanë përcaktuar (atyre) në fé aso dispozite, çfarë nuk ka lejuar Perëndia. Sikur të mos kishte qenë Fjala e vendimit të mëparshëm (që gjykimi do të shtyhet), ata madje do të ishin gjykuar. Me të vërtetë, për zullumqarët ka dënim të dhembshëm.
(22) (Në Ditën e Kijametit) do t’i shohish zullumqarët se si frikohen për atë që kanë punuar, e (shpërblimi i asaj pune, megjithatë) do t’i godet. E, ata që kanë besuar dhe punuar vepra të mira, do të jenë në kopshtet e mrekullueshme të xhenneteve. Ata do të kenë te Zoti i tyre çka të duan; kjo është dhuratë (shumë) e madhe.