(35) Dhe hyri në kopshtin e vet, duke i bërë vetes dëm (zullum) me mendjemadhësi, e tha: “Unë nuk mendoj se do të humbë kjo ndonjëherë,
(36) dhe nuk mendoj se do të arrijë ndonjëherë Dita e Kijametit, e nëse unë do t’i kthehem Zotit tim, unë me të vërtetë, do të gjej vend më të mirë kthimi nga ky!”
(37) Dhe, shoku i tij, i tha – duke biseduar me të: “A mohon ti Ate, i cili të ka krijuar prej dheut, pastaj nga pika e farës (sperma), dhe më në fund – të bëri njeri të plotë?
(38) Por, unë besoj se Perëndia është Zoti im, dhe unë – Zotit tim, nuk i bëj shok askë.
(39) Dhe, sikur ti, kur hyre në kopshtin tënd, të kishe thënë: (kjo është) si ka dashtë Perëndia! Askush nuk ka fuqi (që të ndryshojë) përveç Zotit. Nëse ti sheh se unë kam më pak pasuri dhe pasardhës,
(40) shpresoj se Zoti im do të më jep më mirë se kopshti yt, e në kopshtin tënd të dërgojë shtatërrim nga qielli e të bëhet sipërfaqe e lëmuar,
(41) ose, që uji të humbasë në greminë (në nëntokë), e që të mos mund ta gjesh kurrë më”.
(42) Dhe, u shkatërrua pasuria e tij (e mohuesit), e ai i rrihte duart e veta (nga pikëllimi), për atë që investoi në të, e atë që e punoi, ra për dhé, e thirri: “Ah! Sikur të mos i kisha bërë Zotit tim kurrfarë shoku!”
(43) Dhe, ai nuk kishte kurrfarë shoqërie, që t’i ndihmonte atij, përpos Perëndisë, e ai nuk ishte i ndihmuar as nga vetvetja.
(44) Këtu, mund të ndihmojë vetëm Perëndia – i Vërteti. Ai më së miri shpërblen dhe jep përfundimin më të mirë.
(45) Krahasoju atyre shembullin e jetës së kësaj bote, me ujin që e lëshojmë Ne nga qielli, e me të përzihet bima në tokë, e (më vonë) bëhet bar i thatë, të cilin e shpërndanë era (fryma). E, Perëndia është i fuqishëm për çdo gjë!