(46) Na dërguam në gjurmët e pejgamberëve, Isain – të birin e Merjemës, vërtetues të Teuratit që e kanë para tyre. Dhe Na ia dhamë atij Inxhilin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë, vërtetues i Teuratit, të cilin e kanë para vet – udhërrëfim dhe këshillim për ata që i druajnë Perëndisë.
(47) Le të gjykojnë ithtarët e Inxhilit ashtu siç ka shpallë Perëndia në të. E, kush nuk gjykon ashtu siç ka shpallë Perëndia – ata janë mëkatarë të vërtetë.
(48) Na ty (o Muhammed!) ta kemi dërguar Librin (Kur’anin), me të vërtetë, vërtetues të librit që e kanë përpara dhe dëshmues i tij. Gjyko në mes tyre me atë që ka zbritur Perëndia dhe mos ndjek dëshirat e tyre, për të mos devijuar në atë që të ka ardhur ty nga e Vërteta. Na për të gjithë ju kemi bërë ligj një rrugë të qartë. E, sikur të donte Perëndia, do t’u kishte bërë juve një popull, por, Ai don që t’ju provojë juve në ate që ju ka dhënë, andaj bëni gara ju në punë të mira! Të gjithë do të ktheheni te Perëndia e Ai do t’ju lajmërojë për çështjet, në të cilat nuk jeni pajtuar ju.
(49) Dhe, (Na të dërguam Librin) që të gjykosh ti me atë që të ka shpallur Perëndia, e mos ndjek dëshirat e tyre! Ruaju nga ata, që të mos të turbullojnë ty prej disa sendesh që t’i ka zbritur Perëndia! Nëse ata kthehen e nuk dëgjojnë gjykimin tënd, atëherë ta dish se Perëndia don vetëm atë, që t’i dënojë ata, për disa mëkate të tyre. E, me të vërtetë, shumë njerëz janë mëkatarë.
(50) A mos kërkojnë ata gjykimin e kohës së paganizmit?! E, kush është gjykatës më i mirë se Perëndia për njerëzit që besojnë bindshëm?