(94) Thuaju (O Muhammed): “Nëse vetëm për ju te Perëndia u është siguruar xhenneti, e jo për njerëzit tjerë, atëherë, nëse flisni të vërtetën, kërkoni vdekjen”.
(95) Por ata kurrsesi nuk e dëshirojnë vdekjen, për shkak të të këqijave që kanë punuar! – E Perëndia i di mirë ata që shkelin drejtësinë.
(96) Dhe padyshim, do t’i gjesh ata (Hebrenjtë) më lakmues për të jetuar se sa njerëzit tjerë, e madje edhe se paganët. Çdonjëri nga ata dëshiron të jetojë njëmijë vjet; por edhe nse jeton aq, nuk do të mund t’i ikë dënimit! – Se Zoti i sheh punët e tyre.
(97) Thuaju: “Kush është armik i Xhebrailit? (duke qenë i lavdërueshëm); Ai e ka zbritur Kur’anin në zemrën tënde me lejen e Perëndisë – për të vërtetuar librat e shenjta – dhe është udhërrëfyes e sihariq për muslimanët.
(98) Kush është armik i Perëndisë, i engjujve të Tij dhe pejgamberëve të Tij, dhe Xhebrailit e Mikailit – (ai është qafir); e Perëndia është me të vërtetë armik i qafirëvet.
(99) Me të vërtetë, Na të kemi zbritur Ty argumente të qarta, e që vetem njerëzit e këqij nuk duan t’u besojnë.
(100) A thua çdoherë që japin ndonjë premtim – disa prej tyre e refuzojnë, ndërsa shumica prej tyre nuk besojnë.
(101) Kur ju erdhi atyre Pejgamberi i Zotit (Muhammedi), vërtetues i librit që kanë ata, një grup i tyre, të cilëve iu dha Libri, gjoja se nuk e dinin për të, e hodhën pas shpine Librin e Zotit (Teuratin).