(96) E, kur erdhi sihariquesi, ia vuri këmishën në fytyrën e tij (Jakubit), e atij iu kthye të pamurit. (Atëherë), tha (Jakubi): “A nuk ju kam thënë, se unë di nga Perëndia atë që nuk e dini ju”.
(97) Ata thanë: “O babai ynë, kërko falje për ne (nga Perëndia) për gabimet tona; ne, me të vërtetë, kemi qenë të gabueshëm”.
(98) Ai u përgjegj: “Do ta lus Zotin tim që t’ju falë. Me të vërtetë, Ai është falës dhe mëshirues”.
(99) Dhe kur ata hyn te Jusufi, i afroi pranë vedit prindërit e vet dhe tha: “Hyni në qytetin e Egjiptit! Me lejen e Perëndisë, ju do të jeni të sigurtë prej çdo të keqe”.
(100) Dhe ai i ngriti prindërit e vet në fron (në një vend më të lartë), dhe ata të gjithë (prindërit dhe vëllezërit) iu përulën atij. (Jusufi) tha: “O baba im, ky është komentimi i ëndrrës sime të dikurshme. Zoti im e plotësoi atë. Dhe mua më bëri mirësi, kur më nxori nga burgu, e juve u solli nga shkretëtira, pasi djalli pat futur ngatërresa në mes meje dhe vëllezërve të mi. Me të vërtetë, Zoti im u bën lehtësi kujt të dojë. Me të vërtetë, Ai është i Plotëdijshëm dhe i Gjithëdijshëm!
(101) O Zoti im! Ti më ke dhënë pushtetin dhe më ke mësuar komentimin e ngjarjeve! (O) krijues i qiejve dhe i Tokës, Ti je Mbrojtësi im edhe në këtë edhe në botën tjetër! Bën që të janë të mirë!”
(102) Këto janë lajmet e ngjarjeve të padukshme, të cilat Ne po t’i shpallim ty (o Muhammed), e ti nuk ke qenë me ata kur vendosën për punën e tyre, e ata bënin dredhira.
(103) E, shumica e njerëzve, sado që të dëshirosh ti, nuk janë besimtarë.