(53) Dhe, ata kërkojnë prej teje shpejtimin e dënimit. E, sikur të mos ishte afati i caktuar, atyre do t’u kish arritur dënimi. Dhe, me siguri, atyre, do t’u vie papritmas e nuk do ta hetojnë.
(54) Ata kërkojnë prej teje shpejtimin e dënimit; e, me të vërtetë, xhehennemi do t’i përfshijë të gjithë mohuesit –
(55) në Ditën kur t’i kaplojë dënimi mbi ta dhe nën këmbët e tyre. Dhe, (engjëlli) thotë: “Shijoni dënimin për atë që keni bërë!”
(56) O robërit e Mi që keni besuar, me të vërtetë, Toka Ime është e gjerë, andaj më adhuroni vetëm Mua!
(57) Çdokush do të shijojë vdekjen dhe pastaj do të ktheheni tek Unë.
(58) Na, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do t’i vendosim në pallatet e xhennetit, nën të cilët rrjedhin lumenjtë, aty do të qëndrojnë përgjithmonë. Sa i bukur është shpërblimi i punëtorëve.
(59) të cilët kanë duruar dhe janë mbështetur te Zoti i tyre
(60) E, sa shtazë ka, të cilat nuk e bartin me vete furnizimin. Perëndia i furnizon ato dhe juve! Ai, i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.
(61) E, nëse i pyet ti ata: “Kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe kush e nënshtroi Diellin e Hënën?” – ata, me siguri, do të thonë: “Perëndia!” E, kah po arratisen atëherë?
(62) Perëndia, ia zgjëron furnizimin kujt të dojë nga robërit e Tij, e dikujt ia zvogëlon. Perëndia, me të vërtetë, është i dijshëm për çdo gjë.
(63) E, nëse ti i pyet ata: “Kush e ka zbritur ujin nga qielli, e me te e gjallëron tokën e shkretëruar?” Me siguri, do të thonë ata: “Perëndia!” Thuaj: “Falenderimi qoftë për Perëndinë!” Por, shumica e tyre nuk mendojnë.