(211) Pyeti bijt e Israelit: sa ajete (argumente) të qarta u kemi dërguar Ne atyre? – E, ata që mohojnë të mirat e Perëndisë, pasi që u janë dërguar (do të dënohen), se Perëndia, me të vërtetë është ndëshkues i rreptë.
(212) Atyre që nuk kanë besuar u është hijeshua jeta e kësaj bote, ndaj tallen me besimtarët. Por ata që janë ruajtur nga mohimi i mëkatevet do të jenë mbi ata në Ditën e Kijametit. – E, Perëndia i bagaton pa kufi ata që i don Ai.
(213) (Dikur) të gjithë njerëzit i kanë takuar një bashkësie (pastaj lindi mospajtimi ndër ta), dhe Perëndia u ka dërguar profetët si sihariques dhe si frikësues, dhe me ta dërgoi Libër në të cilin gjendej e vërteta, që me të, të gjykoheshin njerëzit për ato gjëra që nuk janë pajtuar. Mirëpo, njerëzit u grindën ndërmjet veti, pasi që u erdhën argumentet e qarta, nga zilia e njëri-tjetrit; dhe atëherë Perëndia, me autorizimin e Vet i udhëzoi besimtarët që ta kuptojnë të vërtetë, lidhur me atë që nuk u pajtuan ata. – Se, Perëndia e shpie në udhë të drejtë atë që don Ai.
(214) A mendoni ju të hyni në xhennet pa i përjetuar ato (vuajtjet) ashtu si i kanë përjetuar të tjerët para jush? Ata i pat goditur mjerimi dhe sëmundjet dhe aq shumë qenë tronditur saqë pejgamberi dhe ata që ishin me të thirrën: “Kur më do të arrijë ndihma e Perëndisë?!” Qe, ndihma e Perëndisë është afër!
(215) Të pyesin ty në çfarë mënyre duhet dhënë lëmoshë? Thuaju: “Çfarëdo lëmoshe të mirë që epni ajo le t’i takojë prindërve, farefisit, bonjakëve, të varfërve dhe udhëtarëve (që kanë ngelur në rrugë pa mjete), e çfarëdo të mire që bëni, Perëndia e di atë”.