(103) Na e dimë mirë që ata thonë: “Atë (Muhammedin) e mëson një njeri!” Gjuha e tij, që po ia mveshin – se po e mëson atë – është gjuhë e të huajve (të cilën nuk e dinë arabët), kurse ky (Kur’ani) është në gjuhën e qartë arabe (me një stil të lartë).
(104) Me të vërtetë, ata që nuk u besojnë argumenteve të Perëndisë, Perëndia nuk i udhëzon dhe për ata ka dënim të dhembshëm.
(105) Me të vërtetë, trillojnë gënjeshtra vetëm ata që nuk u besojnë argumenteve të Perëndisë dhe ata janë gënjeshtarë të vërtetë.
(106) Ai që mohon Perëndinë, pasi që pat besuar – përpos atij që është i detyruar me forcë (që të mohojë), por që zemra e tij është plot besim, (për të nuk ka mëkat) – por për ata që e hapin zemrën për mohim, për ta ka zemrim nga Perëndia dhe për ata ka dënim të madh,
(107) sepse, ata e duan më shumë jetën e kësaj bote se sa jetën e botës tjetër, e Perëndia nuk i udhëzon në rrugë të drejtë mohuesit.
(108) Këta janë ata të cilëve Perëndia ua ka vulosur zemrat e tyre, të dëgjuarit dhe të pamurit e tyre, dhe këta janë njerëz, vërtetë të shkujdesur.
(109) S’ka dyshim se, ata, në botën tjetër do të jenë nga të humburit.
(110) Me të vërtetë, Zoti yt – për ata që kanë emigruar, pasi janë torturuar e mandej kanë luftuar (në të mirën) dhe kanë duruar, Perëndia, pas kësaj, padyshim, është falës dhe mëshirues.