(282) O besimtarë! – (shënoni çfarëdo) borxhin kur ia jepni njëri-tjetrit në afatin e caktuar. Le të shënojë drejtë (atë që jepni e merrni) një shkrues në mes jush e të mos ngurrojë shkruesi që të shënojë ashtu siç e ka mësuar Perëndia. (Shkruesi) le të shënojë, e borxhliu le të diktojë dhe le t’i druajë Zotit të vet. Le të mos mungojë asgjë nga borxhi. E, në qoftë se borxhliu është mendjelehtë (batakçi) ose i dobët, ose që nuk është në gjendje të diktojë, atëherë saktësisht le të diktojë kujdestari i tij. Merrni dy dëshmitarë, prej njerëzve tuaj, e nëse nuk i keni dy dëshmitarë burra, atëherë merrni një burrë dhe dy gra – për dëshmitarë, nga ata që të jeni të kënaqur ju; në qoftë se njëra grua harron le t’ia kujtojë tjetra. Dëshmitarët nuk duhet të heqin dorë kurdo që të thirren. Mos e leni pa e shënuar borxhin, qoftë i vogël apo i madh, duke shënuar edhe afatin e pagimit. Ky proces është më i drejtë para Perëndisë, më i saktë për dëshmi dhe më i afërt për të mos dyshuar. Por, nëse është fjala për mallin që qarkullon prej dorës në dorë (shit-blerja me para në dorë), atëherë nuk do të keni mëkat nëse nuk e shënoni atë. Merrni dëshmitarë edhe kur të lidhni kontrata për shit-blerje dhe të mos dëmtohet as shkruesi as dëshmitari. E, nëse e bëni të kundërtën, atëherë keni bërë mëkat dhe ruajuni Perëndisë, - Perëndia ju mëson juve, dhe Perëndia di çdo gjë.