(21) O besimtarë! Mos ndiqni gjurmët e djallit! E, kush ndjek gjurmët e djallit (do të dënohet, sepse) ai, me të vërtetë urdhëron imoralitet dhe vepra të shëmtuara. Dhe sikur të mos ishte mirësia e Perëndisë ndaj jush dhe mëshira e Tij, kurrë nuk do të ishte pastruar prej mëkateve askush prej jush; por, Perëndia e pastron atë që don Ai. Perëndia, i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.
(22) Dhe, le të mos betohen të ndershmit dhe të pasurit prej jush – se nuk do t’u japin të afërmve, të varfërve dhe të emigruarve në rrugën e Perëndisë; le të falin ata dhe le të mos brigojnë (mos të mbajnë inat)! Vallë, a nuk doni ju që t’ju falë Perëndia? E, Perëndia, është falës e mëshirues.
(23) Me të vërtetë, ata që i fajësojnë gratë e ndershme, zemërdlirë, besimtare, janë të mallkuar në këtë botë dhe në tjetrën, dhe për ta ka dënim të madh.
(24) Atë Ditë që do të dëshmojnë kundër tyre – gjuhët e tyre, dhe duart e tyre, dhe këmbët e tyre për atë që kanë punuar ata;
(25) atë Ditë Perëndia do t’ju plotësojë dënimin e merituar dhe do ta dijnë ata, se Perëndia, është e vërteta e qartë.
(26) Gratë e pandershme janë për meshkuj të pandershëm; e burrat e pandershëm, janë për femra të pandershme. Gratë e ndershme janë për meshkuj të ndershëm; e burrat e ndershëm janë për femra të ndershme. Ata të ndershmit, janë larg prej atyre thënieve; atyre (të ndershmëve) ju përket falja e mëkateve, dhe dhuntia e madhe.
(27) O besimtarë! Mos hyni në shtëpitë e huaja përderisa të mos lajmëroheni e të mos i përshëndetni banuesit e saj. Kjo është më mirë, që ju të këshilloheni!