(30) Me të vërtetë, ata që thonë: “Zoti ynë është Perëndia, e pastaj vazhdojnë në të drejtë (sipas urdhërit të Perëndisë), do t’ju zbresin atyre engjëjt (dhe do t’ju thonë): “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni xhennetit që ju është premtuar.
(31) Ne jemi të afërmit tuaj në jetën e kësaj bote dhe të së ardhmes; ju në te (xhennet) do të keni çka të dëshironi dhe çka të kërkoni,
(32) si gosti prej Atij që falë shumë dhe që është mëshirues”.
(33) E, kush flet më bukur se ai që thërret te Perëndia, bënë vepra të mira dhe thotë: “Unë, me të vërtetë, jam musliman!”
(34) Nuk barazohet e mira dhe e keqja! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë – armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë.
(35) Këtë mund ta arrijnë vetëm ata që durojnë dhe këtë mund ta arrijnë vetëm ata që janë të pajisur (me virtyte të bukura).
(36) E, nëse djalli fillon të të mashtrojë, kërko mbështetje te Perëndia. Me të vërtetë, Ai i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.
(37) Argumente të Tij janë edhe nata dhe dita, edhe Dielli dhe Hëna. Mos bëni sexhde (mos bini me fytyrë për tokë) as për Diellin as për Hënën, por bëni sexhde për Perëndinë, i cili i ka krijuar ato, nëse jeni adhurues të Atij.
(38) E, nëse ata madhështohen, - po, ata që janë te Zoti yt (engjëjt), e lavdërojnë Atë natën dhe ditën, e kurrë nuk mërziten.