(39) (O Muhammed), paralajmëroji ata me Ditën e pikëllimit, kur merr fund dhënia e llogarive, e ata janë të pakujdesshëm dhe nuk besojnë.
(40) Na, me të vërtetë, e trashëgojmë Tokën dhe gjithçka gjendet në të dhe ata do të kthehen te Ne.
(41) (O Muhammed!) përmende në Libër (Kur’an) Ibrahimin! Ai ka qenë (njeri) i sinqertë, (dhe) pejgamber,
(42) kur i ka thënë babës së tij: “O babai im, përse adhuron atë, që, as nuk dëgjon, as nuk sheh, e as që mund të të sjellë ndonjë dobi?
(43) O babai im, mua më ka ardhur një pjesë e dijenisë, që të ka munguar ty; andaj më paso mua dhe unë do të udhëzoj në rrugën e drejtë.
(44) O babai im, mos adhuro djallin; me të vërtetë, djalli është i padëgjueshëm nda Mëshiruesit (Perëndisë).
(45) O babai im, unë druaj se mos do të të vijë dënimi nga Mëshiruesi, e do të bëhesh shok i djallit”.
(46) (Baba i Ibrahimit) tha: “O Ibrahim, ti vallë po shmangesh nga zotrat e mi? nëse nuk frenohesh nga kjo, unë do të të mbys ty me gurë; andaj, largohu prej meje për një kohë të gjatë!”
(47) (Ibrahimi) tha: “Shpëtimi qoftë mbi ty! Do t’i lutem Zotit tim që të falë ty. Me të vërtetë, Ai (Perëndia), është i mirë ndaj meje (pa masë).
(48) Dhe, u lë juve dhe të gjithë ata që adhurojnë (tjerë zotra), pos Perëndisë; e, unë do të adhuroj Zotin tim. Shpresoj se nuk do të jetë i papranueshëm të adhuruarit e Zotit tim”.
(49) E, kur i la ata që adhuronin (zotra tjerë), përpos Perëndisë, Na ia dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin, dhe që të dy i bëmë pejgamberë.
(50) Dhe, Na, ata i dhuruam nga mëshira Jonë dhe bëmë që ata, me të vërtetë, të lavdërohen me mirësi.
(51) Dhe përmende (o Muhammed!) në Libër (Kur’an), Musain! Me të vërtetë, ai ishte i sinqertë dhe ishte pejgamber, lajmëtar.