(52) Po ashtu, Ne ta kemi dërguar ty Shpalljen. Ti (më parë) nuk ke ditur se çka është Libri as çka është besimi (i plotë), e (Librin – Kur’anin) Ne e bëmë dritë (udhërrëfyes), me të cilin udhëzojmë kënd të dojmë nga robërit Tonë. Ti (o Muhammed), me të vërtetë, udhëzon në rrugën e drejtë,
(53) (në) rrugën e Perëndisë, të cilit i përkasin çka ka në qiej dhe çka ka në Tokë. Dhe, ja, te Perëndia kthehen të gjitha gjërat!
الزخرف Az-Zukhruf
(1) Hâ, Mîm.
(2) Pasha Librin e qartë,
(3) Na e kemi bërë (këtë libër) Kur’anin në gjuhën arabe, për ta kuptuar ju,
(4) e ai (Kur’ani) është te Ne, në Librin kryesor (Levhi Mahfudh), i lartësuar dhe plotë dijeni.
(5) Vallë, a të tërhiqemi Ne e të mos ju paralajmërojmë, ngase ju jeni popull ngatërrestar?
(6) E, sa pejgamberë u dërguam Ne (popujve) të mëparshëm,
(7) dhe nuk u ka ardhur atyre asnjë pejgamber e që të mos jenë tallur me te!
(8) E, i kemi shkatërruar edhe ata që kanë qenë më të fuqishëm se këta (Mekkasit). Dhe më parë janë përmendur shembuj për popujt e lashtë.
(9) Nëse ti i pyet ata: “Kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën?” Ata me siguri do të thonë: “Ato i ka krijuar i Plotëfuqishmi dhe i Gjithëdijshmi,
(10) Ai që iu ka bërë Tokën djep dhe u krijoi rrugë në të, për të arritur atje ku synoni.