لقمان Luqman
(1) Elif, Lám, Mîm.
(2) Këto janë ajetet nga Libri plotë dijeni,
(3) (i cili) është udhërrëfyes dhe mëshirë për bamirësit,
(4) ata që kryejnë namazin dhe japin zeqatin, dhe të cilët besojnë bindshëm në jetën tjetër.
(5) Këta janë ata që janë udhëzuar nga Zoti i tyre dhe vetëm ata janë të shpëtuar.
(6) E, ka disa nga njerëzit që besojnë në tregime të kota, për t’u shmangur nga rruga e Perëndisë, pa kurrfarë dijenie, duke e pandehur (rrugën e Zotit) qesharake. Të atillët i pret dënimi i poshtëruar.
(7) Kur ndonjërit prej tyre, u lexohen ajetet Tona (Kur’ani), ai shmanget me mendjemadhësi, thuase nuk i ka dëgjuar, thuase iu kanë shurdhuar veshët. Andaj, sihariqoi ata me dënim të dhembshëm.
(8) Me të vërtetë, ata që kanë besuar dhe punojnë vepra të mira do të gjenden në kopshtet e dhuntisë,
(9) në të cilat do të qëndrojnë përherë. Premtimi i Perëndisë është i vërtetë, e Ai është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.
(10) (Ai) ka krijuar qiejt pa shtylla, e i shihni ju – ka vendosur male të palëvizshme në Tokë, për të mos u lëkundur ju, dhe ka shpërndarë në të, gjithfarë lloj shtazësh. Ne, e kemi zbritu ujin nga qielli dhe me të, kemi bërë të mbijnë sa e sa lloje bimësh të mira (buta).
(11) Ky është krijimi i Perëndisë; më tregoni çka kanë krijuar të tjerët pos Tij? Jo, por, me të vërtetë, zullumqarët janë në humbje të vërtetë.