(20) A nuk shihni, se si Perëndia u ka mundësuar – t’i shfrytëzoni të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë dhe ju ka plotësuar dhuntitë e Tij – të jashtme dhe të brendshme? E, ka njerëz që polemizojnë për Perëndinë pa kurrfarë dijenie, pa kurrfarë rrëfyesi dhe pa libër ndriçues.
(21) Kur atyre u thuhet: “Pasoni atë që u ka shpallur Perëndia!” ata thonë: “Jo, (por) ne pasojmë të parët tanë”. E, sikur ata t’i thërriste djalli edhe në dënimin e skëterrës, (a do ta pasonin)?
(22) Kush kthehet kah Perëndia, me tërë qenien e tij, duke qenë i mirë, ai është kapur për vegën më të fortë. E, te Perëndia, është fundi i çdo gjëje.
(23) Dhe kush mohon, të mos të brengos mohimi i tij. Tek Ne do të kthehen ata, e Ne do t’i lajmërojmë për atë që kanë punuar. Me të vërtetë, Perëndia di ç’ka në zemrat e njerëzve.
(24) Ne, ata do t’i kënaqim përkohësisht, e pastaj, do t’i hudhin furishëm në dënimin e ashpër.
(25) E, nëse i pyet ti (o Muhammed) ata: “Kush ka krijuar qiejt dhe Tokën?” – me siguri do të thonë: “Perëndia!” E ti thuaj: “Falenderimi qoftë për Perëndinë!” Por, shumica e tyre nuk dinë.
(26) Të Perëndisë janë të gjitha, në qiej dhe në Tokë. Me të vërtetë, Perëndia është i pavarur dhe i lavdëruar.
(27) Sikur të gjithë drunjtë të gjenden në Tokë – të jenë penda (shkrimi), e deti ngjyrë shkrimi (tintë), e t’i shtohen atij edhe shtatë dete të tjera, nuk do të soseshin fjalët e Perëndisë. Me të vërtetë, Perëndia është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.
(28) Të krijuarit dhe të ringjallurit e të gjithë juve është njësoj (për Te) – si të krijuarit e vetëm një njeriu. Me të vërtetë, Perëndia i dëgjon dhe i sheh të gjitha.