(23) Kjo (dhuratë e madhe) është ajo, me të cilën Perëndia i sihariqon robërit e Vet, (ata) që kanë besuar dhe që kanë bërë vepra të mira. Thuaju (atyre): “Për këtë nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi tjetër prej jush, pos dashurisë ndaj meje – (për farefisin)” – E, kush bën vepër të mirë, Ne do t’ia shtojmë shpërblimin, se, Perëndia, me të vërtetë, është falës dhe mirënjohës.
(24) Por, ata thonë: “Ai (Muhammedi), ka trilluar gënjeshtra për Perëndinë!” E, Perëndia, nëse don, zemrën tënde e bën të paluhatshme (me durim). Perëndia e shkatërron të pavërtetën (trillimin e bërë) dhe e forcon të vërtetën me fjalët e Veta. Ai di mirë çka ka në zemrat e tyre.
(25) Ai e pranon pendimin e robërve të Vet dhe i falë mëkatet dhe i di të gjitha çka punoni ju;
(26) Ai u përgjigjet (miraton) atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, e u jep edhe më tepër prej dhuntisë së Vet, kurse për mohuesit do të ketë dënim të ashpër.
(27) Sikur Perëndia t’i furnizonte me sasi të mëdha robërit e Vet, ata do të tërboheshin në Tokë, por Ai u jep në atë masë sa dëshiron Ai, sepse, ai i njeh mirë dhe i sheh robërit e Vet.
(28) Ai, shiun e dërgon pasi që ata ta kenë humbur shpresën dhe e përhapë mëshirën e Vet; Ai është mbrojtës i vërtetë dhe i vetmi, i denjë për falenderim.
(29) Dhe, një prej argumenteve të Tij është krijimi i qiejve dhe i Tokës dhe i (të gjitha) qenieve të gjalla që i ka shpërndarë nëpër to; Ai është i pushtetshëm t’i tubojë ata kur të dojë.
(30) Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, kjo është për shkak se e keni futuar vetë, e Ai edhe falë shumë.
(31) Dhe, ju nuk mund t’i shmangeni Atij në tokë dhe pos Perëndisë, nuk ka për ju (tjetër) mbrojtës as ndihmës.