التغابن At-Taghaabun
(1) Perëndinë e falenderon çka gjendet në qiej dhe çka gjendet në Tokë. Atij i takon pushteti i vërtetë, dhe Atij i takon falenderimi. Ai është i pushtetshëm për çdo gjë!
(2) Ai ju ka krijuar juve, e (ndonjëri) prej jush është mohues, e (disa) prej jush janë besimtarë: Çdo gjë që punoni ju, Perëndia e sheh mirë.
(3) Ai ka krijuar qiejt dhe Tokën në mënyrë të mrekullueshme, dhe Ai ju ka dhënë juve formën, dhe figurat tuaja i bënë të bukura dhe të gjithë do të ktheheni te Ai.
(4) Ai i di të gjitha gjërat që gjenden në qiej dhe në Tokë. Ai di fshehtësitë tuaja dhe ato që i bëni haptazi; Perëndia i di të gjitha ç’keni në zemrat tuaja.
(5) A nuk ju kanë arritur lajmet e atyre që më parë nuk kanë besuar, dhe e kanë shijuar dënimin e veprimeve të tyre. Për ta ka dënim të dhembshëm –
(6) ngase kur profetët e tyre vinin me dokumente të qarta, ata thoshin: “A njeriu (si ne) do të na tregojë rrugën?” Dhe nuk besuan, e u kthyen (prej këshillave); e Perëndisë nuk i nevojitet asgjë, Ai është i pavarur dhe i lavdishëm!
(7) Mohuesit kujtojnë se kurrsesi nuk do të ngjallen; thuaju atyre: “Po, për Zotin tim, me siguri do të ngjalleni dhe pastaj do të informoheni se ç’keni punuar!” – E, kjo për Perëndinë, është lehtë.
(8) Besoni në Perëndinë dhe në të Dërguarin e Tij dhe në dritën (Kur’anin) që ju kemi sjellë. Perëndia, di mirë çdo gjë që punoni ju.
(9) Atë Ditë, kur Ai (Perëndia) do t’ju tubojë juve në Ditën e Kijametit, ajo është Dita e mashtrimit (ku shihen veprat e gabuara). Ai që beson në Zotin dhe punon vepra të ira, Perëndia ia falë mëkatet atij dhe do ta shpie në kopshtije, nëpër të cilët rrjedhin lumenjt, e ku do të qëndrojnë përherë, gjithmonë. Ai do të jetë sukses i madh!