مريم Maryam
(1) Kâf, Hâ, Jâ, Ajín, Sád.
(2) (Ky është) tregimi mbi mëshirën e Zotit tënd ndaj robit të Tij – Zekerijjas.
(3) Kur ai e thirri (e luti) Zotin e vet me lutje të fshehtë
(4) dhe tha: “O Zoti im, me të vërtetë, më janë dobësuar eshtrat, e koka më është zbardhur nga pleqëria. E, lutja ime Ty, nuk ka mbetë kurrë pa u pranuar.
(5) I frikësohem të afërmve të mi – pas meje (ngase do të bëjnë keq), e bashkëshortja ime është sterile, andaj, më dhuro nga Ti – një të afërm (djalë),
(6) që të më trashëgojë mua dhe familjen e Jakubit, dhe bënë Zoti im që të jesh i kënaqur me të!”
(7) “O Zekerijja, Na, do të sihariqojmë ty me një djalë emri i të cilit është Jahja, të cilit, Ne më parë nuk i kemi bërë emnak”.
(8) (Zekerijjai) tha: “O Zoti im, prej nga mua djali, kur bashkëshortja ime është sterile? Dhe, unë kam arritur pleqërinë e thellë?”
(9) Tha: “Ashtu, ka thënë Zoti yt: “Kjo për Mua është lehtë. Unë të kam krijuar ty më parë, e ti nuk ke qenë fare”.
(10) (Zekerijjai) tha: “O Zoti im, më jep ndonjë shenjë!” – (Perëndia) tha: “Shenjë do të jetë ajo që nuk do të mundesh të flasësh me njerëz tri netë (e tri ditë), duke qenë madje i shëndoshë”.
(11) Dhe, ai doli nga faltorja në popullin e tij dhe u dha shenjë atyre: “Madhëronie (Perëndinë), në mëngjes dhe në mbrëmje!”