(40) Dhe, (kujtoje) atë Ditë kur do t’i tubojë të gjithë e pastaj u thotë engjëjve: “Vallë, a këta ju kanë adhuruar juve?”
(41) (engjëjt) thonë: “Qofsh i lavdëruar Ti o Zoti ynë! Na, ty të adhurojmë, e me ata s’kemi asgjë. Aa i adhuronin xhindët dhe shumica e mohuesve u besonin (fjalëve) të tyre (të xhindëve)”.
(42) E, sot, nuk do të mund t’i bëni as dobi as dëm njëri-tjetrit. E Ne, do t’ju themi zullumqarëve: “Shijoni dënimin e zjarrit të cilin e keni konsideruar gënjeshtër!”
(43) E, kur ju lexohen atyre ajetet Tona të qarta, ata thonë: “Ky është vetëm njeri, që dëshiron t’ju pengojë nga ajo që etërit tuaj kanë adhuruar”, dhe ata thonë: “Kjo nuk është asgjë tjetër pos gënjeshtër e trilluar!” Dhe, thonë ata që nuk besojnë të Vërtetën (Kur’anin) pasi ju ka ardhur: “Kjo është vetëm magji e qartë!”
(44) Dhe, Ne, nuk u kemi dërguar (banorëve të Mekkes) asnjë libër, për ta mësuar ata, dhe Ne nuk u kemi dërguar atyre para Teje, asnjë paralajmërues.
(45) Ata që kanë qenë para tyre, i kanë konsideruar gënjeshtarë (pejgamberët). Ata nuk kanë arritur as të dhjetën e asaj që u kemi dhënë Ne (fuqi dhe jetë të gjatë), e megjithatë, i kanë konsideruar gënjeshtarë pejgamberët e Mi, e çfarë ka qenë dënimi Im (ndaj tyre)!
(46) Thuaj (o Muhammed!): “Unë ju këhsilloj vetëm me një gjë: ngrituni sinqerisht për Perëndinë, dy nga dy, ose një nga një e pastaj gjykoni për shokun tuaj (Muhammedin) që nuk është i çmendur. Ai për ju është vetëm paralajmërues, para dënimit të rëndë.
(47) Thuaj: “Çfarëdo shpërblimi që kam kërkuar prej jush, ajo qoftë për ju. Shpërblimi im është vetëm te Perëndia, e Ai është dëshmitar për çdo gjë”.
(48) Thuaj: “Me të vërtetë, Zoti im e sjell të Vërtetën (te pejgamberët), Ai është i Gjithëdijshëm për të gjitha sekretet”.