(4) Nëse ata ty (o Muhammed!) të konsiderojnë gënjeshtar, e me të vërtetë, edhe para teje, pejgamberët i kanë konsideruar gënjeshtarë, e te Perëndia kthehen të gjitha punët.
(5) O njerëz! Padyshim, premtimi i Perëndisë është i vërtetë, e mos t’ju mashtrojë, kurrsesi, jeta e kësaj bote dhe le të mos ju mashtrojë, kurrsesi mashtruesi në Perëndinë.
(6) Me të vërtetë, djalli është armik për ju, andaj merreni atë për armik! Ai vetëm i thërret ithtarët e vet që të bëhen shokë të zjarrit.
(7) Për ata që nuk besojnë ka dënim të rëndë, e për ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira ka falje dhe shpërblim të madh.
(8) E vallë, a është ai që iu kanë zbukuruar veprat e tij të këqia dhe i duken ato të mira (si ai që është i i udhëzuar në rrugë të drejtë)? Me të vërtetë, Perëndia e shpie në humbje kë të dojë, dhe e udhëzon në rrugë të drejtë kë të dojë. E, mos u shkatërro ti për humbjen e tyre! Perëndia, me të vërtetë, është i Gjithëdijshëm për atë që punojnë ata.
(9) Dhe, Perëndia – është ai që dërgon erërat, që i lëvizin retë, dhe Ne i drejtojmë ato në viset e vdekura, e me to e gjallërojmë tokën pas vdekjes së saj. Kështu do të jetë edhe ringjallja.
(10) Kush dëshiron madhërinë, e tërë madhëria është e Perëndisë, (andaj kërkoni prej Tij). Tek Ai ngriten fjalët e bukura, dhe veprën e mirë Ai e pranon. E, për ata që trillojnë vepra të këqia – do të ketë dënim të rëndë, dhe trillimi i tyre do të falimentojë.
(11) Perëndia, u ka krijuar së pari prej dheut, pastaj nga pika e ujit (farës – spermës), dhe më në fund u ka bërë çifte (meshkuj e femra). Dhe, asnjë femër nuk mbetet shtatëzënë, e as nuk lind pa dijeninë e tij. Dhe jeta e askujt – as nuk zgjatet as nuk shkurtohet e që të mos jetë e shënuar në Libër. Me të vërtetë, kjo për Perëndinë është lehtë!