(39) Ai u ka bërë juve zëvendës (njërin pas tjetrit) në Tokë; e kush nuk beson, mosbesimi i tij është në dëm të tij. E, mohuesve – mosbesimi i tyre ua shton te Zoti i tyre pezmin, dhe mohuesve – mosbesimi i tyre ua shton humbjen.
(40) Thuaju atyre: “A i keni pa shokët tuaj (idhujt) që i adhuroni, përveç Perëndisë? Më tregoni Mua – se çka kanë krijuar ata në Tokë ose a kanë marrë pjesë në krijimin e qiejve, ose a u kemi dhënë Ne atyre një Libër, e ata në të kanë argument për këtë (çështje)?” Jo, por zullumqarët i premtojnë njëri-tjetrit vetëm mashtrime.
(41) Me të vërtetë, Perëndia mbron ekuilibrin e qiejve dhe Tokës nga shkatërrimi. E, nëse ato nisen kah shkatërrimi, askush nuk mund t’i mbrojë, pos Tij. Me të vërtetë, Ai është i butë (nuk nxiton për të dënuar), dhe falës (i mëkateve).
(42) Dhe, ata janë betuar në Perëndinë, me betimin e rëndë (që) nse iu vie paralajmërues, ata – në të vërtetë, do të jenë ndër më të udhëzuarit nga çdo popull tjetër. E, pasi iu erdhi atyre paralajmëruesi, (kjo) vetëm ua shtoi largimin (prej rrugës së drejtë),
(43) (për) mendjemadhësinë në Tokë dhe dinakëritë e shëmtuara që e godasin vetëm pronarin e tij. Vallë, a presin ata diçka tjetër pos dispozitës së atyre të mëparshmëve? Ti, me të vërtetë, nuk mund të gjesh ndryshim në dispozitën e Perëndisë dhe as që do të gjesh transformim në dispozitën e Perëndisë.
(44) Vallë, a nuk kanë udhëtuar ata nëpër botë e të shohin si ka qenë përfundimi i të mëparshmëve, e të cilët kanë qenë më të fortë se këta? Dhe, Perëndisë nuk mund t’i ikë (shpëtojë) asgjë, (as) në qiej as në Tokë. Ai, me të vërtetë, është i Gjithëdijshëm dhe i pushtetshëm për çdo gjë.