الممتحنة Al-Mumtahana
(1) O besimtarë, mos e konsideroni armikun Tim dhe tuajin për dashamir; ju po shprehni dashuri ndaj tyre, kurse ata, me të vërtetë, kanë mohuar të drejtën që u ka ardhur juve, e dëbuan Profetin dhe juve, vetëm se besonit në Perëndinë, Zotin tuaj (mos i bëni ata dashamirë), në qoftë se jeni (keni dalë) luftëtarë në rrugën Time dhe për kënaqësinë Time. Ju fshehurazi i shfaqni atyre dashuri, por Unë di edhe atë që fshini dhe atë që punoni haptazi. Ai prej jush, i cili armikun e bën dashamir, ai ka devijuar rrugën e drejtë.
(2) Nëse bini në duart e tyre, ata do të jenë armiq tuaj dhe do t’i zgjasin duart e tyre dhe gjuhët e tyre me qëllim të keq, dhe dëshirojnë që t’ju bëjnë jobesimtarë.
(3) Nuk do t’ju ndihmojnë juve në Ditën e Kijametit, as fëmijët, as farefisi. Ai do t’ju ndanë mes juve; - e, Perëndia, sheh mirë atë që punoni ju.
(4) Shembull i mrekullueshëm për ju është Ibrahimi dhe ata që kanë qenë me të, kur i thanë popullit të vet: “Ne jemi larg prej jush dhe prej atyre që i luteni ju, përveç Perëndisë, na nuk u besojmë juve dhe armiqësia e urrejtja midis nesh është e përhershme, përderisa të mos besoni se ekziston një Perëndi i vetëm”; por, përveç fjalës së Ibrahimit (për të mirën e babës së tij): “Unë do të kërkoj falje për ty, por nuk kam kurrfarë mundësie për të shpëtuar ty prej dënimit të Perëndisë”. O Zoti ynë, te Ti mbështetemi dhe Ty të drejtohemi dhe te Ti do të kthehemi.
(5) O Zoti ynë, mos lejo që të bijmë në provë të pafeve dh falna neve. O Zoti ynë, me të vërtetë, Ti je i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.