الملك Al-Mulk
(1) Është i lartësuar Ai, në dorën e të cilit është pushteti dhe Ai është i pushtetshëm për çdo gjë! –
(2) Ai i cili ka krijur jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush vepron më mirë; - Ai është i Plotëfuqishëm dhe falës.
(3) Ai, i cili, i ka krijuar shtatë qiej njërin mbi tjetrin, - ti nuk vëren në krijesat e Mëshiruesit kurrfarë disharmonie, dhe shiko edhe një ehrë a mos po sheh ndonjë plasaritje,
(4) pastaj shiko përsëri shumë herë, shikimi do të kthehet i lodhur dhe i molisuar.
(5) Na, juve ua kemi zbukuruar qiellin më të afërm me yje të shkëlqyeshme dhe kemi bërë që (zjarri i tyre) t’i gjuajë djajtë, për të cilët kemi përgatitur dënimin me zjarr.
(6) Kurse, për ata që nuk besojnë në Zotin e tyre, dënimi është skëterra; e sa i shëmtuar është ai vendbanim!
(7) Kur të hudhen në të, do të dëgjohet psherëtima e tyre, e zjarri do të ndizet furishëm,
(8) gati për të eksploduar nga ashpërsia. Kurdo që të hedhet në të ndonjë grup (jobesimtarësh), - rojtarët e skëterrës i pyesin ata: “A nuk u erdhi askush t’ua tërheq vërejtjen juve?”
(9) “Po”, përgjigjen ata, gjithsesi na ka ardhur neve përkujtuesi, por ne i kemi mohuar ata dhe kemi thënë: “Perëndia nuk ka shpallur asgjë, ju jeni në humbje të madhe!”
(10) Ata (jobesimtarët), thonë: “Sikur të kishim dëgjuar ose menduar, nuk do të gjendeshim midis banorëve të skëterrës!”
(11) Dhe, ata e pranuan mëkatin e tyre. Larg qofshin prej mëshirës së Zotit banorët e skëterrës!
(12) Me të vërtetë, ata që i frikohen Zotit të tyre edhe atëherë kur nuk i sheh askush, për ta ka falje dhe shpërblim të madh!