(34) Ç’kanë ata, e (përse) të mos i dënojë Perëndia, sepse, ata e pengojnë vizitën në Mesxhidil-haram (Qabe), edhe pse ata nuk janë padronë (kujdestarë) të tij. Padronë të tij duhet të bëhen vetëm ata që i druajnë Perëndisë, por shumica e tyre nuk e dinë.
(35) Lutja e tyre në Qabe qëndron vetëm në fërshëllimë dhe duartrokitje. Andaj priteni ndëshkimin, pasi që jeni mohues!
(36) Me të vërtetë, mohuesit e ndajnë (shpenzojnë) pasurinë e tyre, për t’i penguar njerëzit nga rruga e Perëndisë. Ata do ta ndajnë atë (pasuri), e pastaj do ta ankojnë atë humbje, sepse, do të jenë të mundur. E, ata që nuk besojnë, do të tubohen në xhehennem,
(37) që Perëndia të veçoj të keqin nga i miri; të këqinjt i palon njërin mbi tjetrin, e të gjithë i grumbullon e i hudhë në xhehennem. Këta, me të vërtetë, janë të humbur.
(38) Thuaju mohuesve: nëse largohen (nga mohimi), do t’ju falet e kaluara, e nëse kthehen (në mohim), atëherë dihet se si ka qenë ligji i të parëve (se si janë ndëshkuar mohuesit dhe si janë ndihmuar besimtarët).
(39) Dhe luftoni kundër tyre, derisa të zhduket idhujtaria dhe derisa të mbetet vetëm feja e Perëndisë. E, nëse frenohen prej mohimit, - Perëndia i sheh punët e tyre;
(40) E, nëse largohen nga feja, dinie se Perëndia është miku juaj. Ai është mik i mrekullueshëm dhe ndihmës i mrekullueshëm!