(14) Vetëm për Te është lutja e vërtetë! E, ata (mohuesit) që i luten tjetërkujt – përpos Perëndisë, nuk u përgjigjet atyre me kurrgjë, ashtu sikundër ai që i zgjatë dy duart tek uji (pranë pusit), për t’i ardhur te goja; por, ai, kurrsesi nuk i vjen. Lutja e mohuesve është e kotë.
(15) Perëndisë i bëjnë sexhde të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, dashtë e padashtë, si dhe hijet e tyre (bëjnë sexhde), në mëngjes dhe në mbrëmje.
(16) Thuaj: “Kush është Zoti i qiellërave dhe i Tokës?” – dhe përgjigju: “Perëndia!” Thuaj: “A mos vallë, i merrni ju, përveç Tij, për miq, ata që vetes nuk mund t’i sjellin as dobi as dëm?” Thuaj: A janë të njëjtë i verbëti dhe ai që sheh, ose, a janë të njëjtë errësirat dhe drita, ose, mos vallë, ata që i kanë bërë shok Perëndisë, a kanë krijuar siç ka krijuar Ai, e që t’ju bëhen krijesat e ngjashme atyre?” Thuaj: “Perëndia, është krijues i çdo gjëje dhe Ai është i Vetmi dhe Triumfues”.
(17) Ai lëshon shiun nga qielli, andaj rrjedhin lumenjtë me masë (të caktuar), dhe vala i bartë mbeturinat mbi sipërfaqe të ujit. Edhe atë që e shkrijnë njerëzit në zjarr, me qëllim që të përfitojnë stoli ose vegla, është mbeturinë (e pavlefshme), si ajo (në sipërfaqe të ujit). Kështu, Perëndia, jep shembullin e së vërtetës dhe të pavërtetës: Mbeturinat hudhën, e ajo që u shërben njerëzve mbetet në tokë. Kështu, Perëndia u shpjegon shembujt.
(18) Për ata që i gjegjen Zotit të tyre, i gjen e mira e madhe, e ata që nuk i gjegjen Atij – sikur të ishte e tyre e gjithë ç’ka në Tokë, dhe edhe aq (më tepër), ata do ta sakrifikonin atë (për të shpëtuar). Të atillëve, u është përgatitur llogari e rëndë; e strehimi i tyre është xhehennemi. E, sa shtrat i shëmtuar që është ai!