(25) që me lejen e Zotit të saj jep frut në çdo kohë. Dhe Perëndia u tregon shembullin njerëzve për t’u këshilluar ata.
(26) Fjala e shëmtuar është si druri i shëmtuar: i shëmbur për dhé dhe i paqëndrueshëm për ekzistencë.
(27) Perëndia besimtarët i forcon me fjalë të qëndrueshme, në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse zullumqarët i shpie në humbje; Perëndia punon ç’të dojë.
(28) Vallë, a nuk i sheh ata që dhuntinë e Perëndisë e kanë ndërruar me mohim dhe e kanë sjellë, popullin e tyre në Shtëpinë e shkatërrimit, -
(29) në xhehennem, në të cilin do të digjen – e sa vendbanim i tmerrshëm është ai! –
(30) dhe i kanë trilluar shok Perëndisë për t’i larguar (njerëzit tjerë) nga rruga e Tij. Thuaj: “Kënaquni, se kthimi juaj është në zjarr!”
(31) Thuaju robërve të Mi, të cilët besojnë: Le të falin namazin dhe le të japin fshehurazi dhe haptazi nga ajo që ua kemi dhënë Ne, para se të arrijë dita, në të cilën s’ka shitje as miqësi.
(32) Perëndia është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën; Ai zbret ujin nga qielli e me të jep frutet për t’u ushqyer ju; dhe u jep juve që të shfrytëzoni anijet për të lundruar me to nëpër dete, me autorizimin e Tij, dhe u jep që të shfrytëzoni lumenjt;
(33) dhe ju jep që të shfrytëzoni Diellin dhe Hënën, që lëvizin vazhdimisht, dhe ju jep që të shfrytëzoni natën dhe ditën;