(6) (Kujtoje) kur Musai i tha popullit të vet: “Kujtoni dhuntinë që ju dha Perëndia, kur (Ai) ju shpëtoi nga populli i Faraonit, të cilët ju munduan me torturat më të rënda, e i prenin djemtë tuaj, e ju linin në jetë femrat (tuaja), - kjo ka qenë një sprovë e madhe për ju nga Zoti juaj, -
(7) (Kujtoje) dhe kur Zoti juaj parashtroi: “Nëse bëheni mirënjohës, Unë, me siguri, do t’ju jap edhe më shumë; e nëe bëheni mohues, (do të dënoheni). Me të vërtetë, dënimi Im është i rëndë”.
(8) Dhe Musai ka thënë: “Nëse nuk besoni, ju dhe të gjithë ç’janë në Tokë, - Perëndia, me të vërtetë, është i pasur dhe plot lavdi (s’ka nevojë për falenderimin tuaj)”.
(9) A nuk u ka ardhur juve lajmi për ata që kanë qenë para jush: për popullin e Nuhut, dhe të Adit, dhe të Themudit dhe për ata pas tyre? – Vetëm Perëndia i di ata! – Pejgamberët e tyre kanë ardhur me dokumente të qarta, por ata venin duart e tyre në gojë (me tallje dhe pezm) dhe thonin: “Na nuk besojmë me atë që jeni dërguar ju. Na jemi me dyshim të madh ndaj asaj që na thirrni ju!”
(10) Pejgamberët e tyre u kanë thënë: “Vallë a mund të dyshohet në Perëndinë, Krijuesin e qiejve dhe të Tokës? Ai u thërret juve për t’ju falur disa mëkate tuaja dhe që t’ju lë juve deri në afatin e caktuar”. Ata (jobesimtarët) thanë: “Ju jeni vetëm njerëz si ne. Ju dëshironi të na shmangëni nga ajo që kanë adhuruar të parët tanë. Andaj, na sillni mrekulli të dukshme!”