(43) Mohuesit thonë: “Ti nuk je pejgamber!” Thuaj (o Muhammed!): “Mjafton Perëndia për dëshmitar në mes meje dhe jush, dhe Ai që e di Librin”.
ابراهيم Ibrahim
(1) Elif Lâm Râ. Ky është Libri, që ta kemi shpallë ty, që njerëzit t’i nxjerrish nga errësira në dritë, me lejen e Zotit të tyre, në rrugën e të Plotëfuqishmit dhe të Falenderueshmit,
(2) Perëndi, të cilit i përkasin çka ka në qiej dhe në Tokë. E, mjer për mohuesit nga dënimi i tmerrshëm (që do t’i godasë),
(3) ata që jetën e kësaj bote e duan më shumë se atë të botës tjetër, dhe pengojnë njerëzit nga rruga e Perëndisë dhe dëshirojnë ta shtrembërojnë atë! Ata janë në humbje të madhe.
(4) Na nuk kemi dërguar asnjë pejgamber, përpos në gjuhën e popullit të tij, për t’u shpjeguar atyre (e ta kuptojnë). Perëndia e shpie në humbje kë të dojë dhe e udhëzon në rrugë të drejtë kë të dojë. Ai është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.
(5) Na e dërguam Musain me argumentet Tona (dhe i thamë atij): “Nxirre popullin tënd nga errësira në dritë dhe përkujtoju atyre dëtët e Perëndisë (ngjarjet e mira dhe të këqija)!” Me të vërtetë, në këtë, ka argumente për çdonjërin që është i durueshëm dhe falenderues.