(73) dhe adhurojnë, përpos Perëndisë, ata që nuk janë në gjendje t’u japin çfarëdo ushqimi, as nga qielli as nga toka, dhe të cilët nuk mundën asgjë?!
(74) Andaj, mos i mveshni Perëndisë gjasime! Me të vërtetë, Perëndia di, e ju nuk dini.
(75) Perëndia ka bërë krahasim shembullin e skllavit, që s’ka mundësi për asgjë, dhe atë që e kemi furnizuar Ne me dhuntitë e mira, e ai nga ato – jep fshehtazi dhe haptazi. A janë këta njëlloj? Falenderimi është për Perëndinë! Por shumica e tyre nuk dinë.
(76) Perëndia (përsëri) bënë krahasim shembullin e dy njerëzve, prej të cilëve njëri është shurdhë-memec, i cili nuk mund të bëjë asgjë dhe është barrë e pronarit të vet, - kurdo e kudo që ta dërgojë nuk i sjell asnjë të mirë. A është i barabartë ky (memeci apo skllavi) dhe ai (besimtari) që urdhëron me të drejtë, si dhe vet është në rrugën e drejtë!
(77) Perëndisë i përkasin fshehtësitë e qiejve dhe të Tokës, e çështja e Ditës së Kijametit është sa çel e mbyll sytë, ose edhe më shpejt. Perëndia, me të vërtetë, është i pushtetshëm mbi çdo gjë!
(78) Perëndia u ka nxjerrë juve nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit asgjë, ai u dha të dëgjuarit, të pamurit dhe zemrat për të qenë falenderues.
(79) A nuk shohin ata, se si shpendët, pa mundim fluturojnë në hapësirat qiellore. Ato i mban vetëm Perëndia (që i ka krijuar për atë aftësi). Kjo, me të vërtetë, është argument për popullin që beson.