(35) Dhe thonin ata, të cilët i bënin shok Perëndisë: “Sikur të donte Perëndia, nuk do të adhuronim ne, as të parët tanë – asgjë, përveç Tij, dhe nuk do të kishim ndaluar ne asgjë, pa dëshirën e Tij. Kështu kanë vepruar ata para këtyre (kanë mohuar). Për pejgamberët s’ka tjetër detyrë përpos që të shpallin qartë.
(36) Na çdo populli i kemi dërguar nga një pejgamber. (Ata u thonin atyre): “Adhuronie Perëndinë, e shmanguni nga djalli!” Disa prej tyre, Perëndia i shpuri në rrugë të drejtë, e disa prej tyre merituan të mbeten në humbje. Andaj, udhëtoni nëpër botë, e shihni se çfarë ka qenë dënimi për ata, të cilët pejgamberët e vet i konsideronin për gënjeshtarë!
(37) Edhe nëse angazhohesh ti (o Muhammed!) që ata të jenë në rrugën e drejtë, me të vërtetë, Perëndia nuk do ta shpie në rrugë të drejtë, atë që don ta lerë në humbje. Dhe për ata nuk ka kurrfarë ndihmësi.
(38) Dhe ata (mohuesit), janë betuar në Perëndinë, me betimin e tyre më të fortë: “Perëndia nuk do ta ngjallë atë që ka vdekur”. Por, me të vërtetë, (ringjallja) është premtim i Tij i saktë – por që, shumica e njerëzve nuk e dinë,
(39) (Do t’i ringjallë ata Perëndia) për t’ju shpjeguar, atë, për të cilën përçaheshin ata dhe që ta kuptojnë mohuesit se kanë qenë gënjeshtarë.
(40) Nëse dëshirojmë të bëhet diçka, Na – vetëm me një të thënme për atë: “Bëhu!” dhe ajo bëhet.
(41) E, ata që kanë emigruar në emër të Perëndisë, pasi u është bërë zullum, Na do t’i vendosim në vendbanim të mirë në këtë botë, e shpërblimi në botën tjetër, është edhe më i madh. Ah! sikur ta dinin ata!
(42) (Ata që emigruan) kanë duruar dhe janë mbështetur në Zotin e thyre.