(46) Dhe, polemizoni me ithtarët e Librit në mënyrën më të bukur, por jo me zullumqarët e tyre. Dhe, thuani ju: “Na besojmë në atë që na është shpallur neve dhe në atë që u është shpallur juve. Edhe Zoti ynë edhe Zoti juaj është një – dhe na Atij i përulemi”.
(47) Dhe, kështu Na ta kemi shpallur ty Librin (Kur’anin). E, atyre që u kemi shpallur Librin (Teuratin), besojnë në këtë (Kur’an). E, disa (nga Mekkasit) besojnë në të (Kur’an), e ajetet Tona i mohojnë vetëm mohuesit.
(48) Dhe ti – para (Kur’anit) nuk ke lexuar kurrfarë libri, e as që ke shkruar me dorën tënde, (se) atëherë, do të dyshonin të degjeneruarit.
(49) Jo! Ai (Kur’ani) – është me argumente të qarta në zemrat e tyre që u është dhënë dija, e argumentet Tona i mohojnë vetëm zullumqarët –
(50) dhe thonë: “Përse (Muhammedit) nuk i janë zbritur mrekulli nga Zoti i tij?” Thuaj: “Mrekullitë janë vetëm te Perëndia, e unë jam vetëm paralajmërues i qartë”.
(51) Vallë, a nuk u mjafton atyre që Ne ta kemi shpallur ty Librin, i cili u lexohet atyre? Me të vërtetë në te ka mëshirë dhe këshillë për popullin që beson.
(52) Thuaj: “Mjafton Perëndia dëshmitar mes meje dhe jush. Ai di çka ka në qiej dhe në Tokë. E, ata që besojnë në idhuj (trillime), e nuk besojnë në Perëndinë, ata janë të humbur.