(30) E, sikur të donim, Ne do t’i tregonim ty ata, e ti me siguri, do t’i njihje ata, sipas shenjave të tyre (të fytyrës). Por, ti do t’i njohësh ata sipas mënyrës së shprehjes së tyre, e Perëndia i di veprat tuaja.
(31) Ne do t’ju vëmë në sprovë juve, përderisa t’i njohim në thelb ata të cilët prej jush luftojnë (në rrugën e drejtë) dhe durojnë (mundimin), si dhe për t’i vërtetuar lajmet për veprat tuaja.
(32) Me të vërtetë, ata që nuk besojnë dhe i pengojnë (të tjerët) nga rruga e Perëndisë dhe kundërshtojnë Pejgamberin, pasi që atyre u është shpjeguar qartë rruga e drejtë, nuk do t’i sjellin (me këtë) Perëndisë kurrfarë dëmi, e Ai do t’ua zhdukë veprat e tyre.
(33) O ju që keni besuar! Përuljuni Perëndisë dhe përuljni Pejgamberit (të Tij) dhe mos i prishni veprat tuaja!
(34) Me të vërtetë, ata që nuk besojnë e vdesin si mohues, Perëndia, kurrsesi, nuk do t’i falë ata.
(35) Dhe, mos u bëni qyqarë dhe mos afroni paqë duke qenë ju më të fuqishëm, sepse Perëndia është me ju (në ndihmë tuaj), Ai nuk ua pakëson shpërblimin e veprave tuaja.
(36) Jeta e kësaj bote nuk është asgjë tjetër, pos lojë dhe zbavitje, e nëse besoni dhe ruheni (prej të këqiave), Ai do t’ju shpërblejë juve dhe nuk do të kërkojë prej jush (tërë) pasurinë tuaj.
(37) Sikur ta kërkonte prej jush atë (tërë pasurinë me këmbëngulje), do të bëheshit koprrac dhe do të shkaktonte urrejtjen tuaj.
(38) Ja, pra, ju thirreni se shpenzoni në rrugën e Perëndisë, por disa prej jush janë koprrac, - e kush është koprrac, është koprrac në dëm të vet, sepse Perëndia është i pasur (s’ka nevojë për asgjë), ndërsa ju jeni të varfër (jeni nevojtarë për gjithçka). E, nëse ju, shmangeni, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, i cili nuk do të bëhet si ju.