(4) sepse, ata e kanë kundërshtuar Perëndinë dhe Profetin e Tij; e ai që kundërshton Perëndinë, Perëndia, me të vërtetë, do t’i dënojë ashpër.
(5) Ato palme hurmesh që i keni prerë ju ose i keni lënë të qëndrojnë vertikalisht – i keni bërë me miratimin e Perëndisë dhe që Ai (Perëndia) t’i poshtërojë ngatërrestarët.
(6) E, atë që Perëndia ia ka dhuruar (kthyer prej ngatërrestarëve) Profetit të Vet, e që ju nuk e keni marrë si plaçkë me sulmim as të kuajve as të deeve, por që, Perëndia i jep pushtet profetëve të Vet mbi ata që Ai dëshiron. Perëndia është i pushtetshëm për çdo gjë.
(7) Pasuria e mbetur e fshatrave, të cilën Perëndia ia ka dhuruar Profetit të Tij, u takon: Perëndisë dhe Profetit të Tij, dhe të afërmëve të tij (Pejgamberit), bonjakëve, të varfërve, dhe udhëtarëve të rastit, - në mënyrë që të mos bie prej dorës në dorë të pasanikëve tuaj; atë që ua jep Profeti (si shpërblim), atë merreni, e atë çka ua ndalon, lënie; dhe ruajuni (mos i kundërshtoni) Perëndisë, sepse, Perëndia, me të vërtetë, dënon ashpër,
(8) (ajo pasuri u takon) edhe emigrantëve të varfër, të cilët janë përzënë nga vendlindja e tyre dhe pasurisë së tyre, të cilët ëshirojnë mirësinë dhe kënaqësinë e Perëndisë, dhe ta ndihmojnë Perëndinë dhe Profetin e Tij, ata, me të vërtetë, janë besimtarë të sinqertë, -
(9) dhe (u takon pasuria) atyre që e kanë bërë Medinen vendstrehim (shtëpi) të besimit qysh më parë (para emigrimit), e i duan ata që vijnë në Medine dhe në zemrat e tyre nuk ndjejnë kurrfarë rëndimi, për atë që u është dhënë atyre (ardhacakëve), por më tepër duan t’u bëjnë mirë atyre se sa vetes, edhe pse madje vetë janë nevojtarë. E, ata që ruhen nga lakmia e madhe, me siguri, do të jenë fitues.