(36) E, kur mohuesit të marrin ty vetëm si objekt talljeve (dhe thonë): “A ky është ai që po i përmend zotrat tuaj?” E, ata janë mohues në të përmendurit e Mëshiruesit të Gjithmbarshëm.
(37) Njeriu është krijuar me cilësi nxituese (është i ngutshëm). Unë do t’jua tregoj argumentet e Mia, prandaj, mos më nxitoni Mua (në dënime).
(38) Dhe ata thonë: “Kur do të realizohet ky premtim, nëse flitni të vërtetën?”
(39) Sikur të dinin mohuesit kohën se kur nuk do të mund ta evitojnë zjarrin nga fytyrat e tyre dhe as nga shpinët e tyre, e as nuk do të ndihmohen prej askujt (nuk do të kishin kërkuar nxitimin e dënimit),
(40) por, atyre do t’u arrijë Kijameti papritmas, e do t’i trullosë ata dhe nuk do të mund ta kthejnë atë, as nuk do t’u jepet afat atyre!
(41) Në të vërtetë, ata i kanë përqeshur pejgamberët edhe para teje, e që (dënimi) u ka arritur shpotitësve për shkak se ata talleshin.
(42) Kush do t’ju ruajë natën dhe ditën (nga dënimi) i Perëndisë, Mëshirues. Jo, askush! E, megjithatë, ata shmangën nga të përmendurit Zotin e tyre (Kur’anin).
(43) Apo ata kanë zotëra të tjerë, të cilët i mbrojnë prej Nesh. Ata (zotërat e tyre) nuk mund t’i ndihmojnë as vetes, dhe askush nuk mund t’i marrë mohuesit në mbrojtje nga dënimi Ynë.
(44) Jo, (ata nuk kanë mbrojtës), por Ne, u kemi dhënë atyre (mohuesve) dhe baballarëve të tyre komoditet, e jeta e tyre u zgjat. A nuk shohin vallë ata që Ne i qasemi tokës së mohuesve dhe ia cungojmë skajet e saj? E, si mund të jenë ata fitues?