الأنبياء Al-Anbiyaa
(1) Ju ka afruar njerëzve llogarie e tyre (e veprave të tyre), e ata, janë të pakujdesshëm e janë shmangur.
(2) Atyre nuk u erdhi nga Zoti i tyre kurrfarë paralajmërimi i ri, e që ata të mos e përgjojnë atë, duke u tallur me të,
(3) e zemrat e tyre janë të hutuara. E, ata që kanë bërë zullum, tinzisht flasin: “A mos ky është diçka tjetër, përpos njeri si ju? Vallë a do të shkoni ju pas magjive, e ju, po i shikoni me sytë tuaj (ata)?”
(4) (Pejgamberi) tha: “Zoti im di se ç’flitet – qoftë në qiell, qoftë në Tokë, Ai, të gjitha i dëgjon dhe i di.
(5) Ata, madje thonë: “Këto janë vetëm ëndërra të turbullta, jo, ai e ka trilluar atë (Kur’anin); jo, ai është poet. Le të na sjellë ai neve një argument, ashtu si i kanë sjellë pejgamberët e parë!”
(6) Nuk ka besuar asnjë vendbanim para tyre, të cilët Ne i kemi shkatërruar (duke kërkuar si këta argumente), e vallë, dot ë besojnë këta?
(7) Edhe para teje kemi dërguar vetëm njerëz, të cilëve u kemi shpallur (ashtu si ty); andaj, pyetni njerëzit e dijshëm, nëse nuk dini ju!
(8) Dhe Ne, nuk i kemi bërë ata (pejgamberët) trupa që nuk hanë gjellëra, as ata nuk kanë qenë të pavdekshëm.
(9) Pastaj, ua kemi realizuar atyre premtimin, e i kemi shpëtuar ata (pejgamberët) dhe ata që kemi dashur Ne; ndërsa i kemi shkatërruar ata që kanë bërë kundërvajtje.
(10) Na, ua kemi shpallur juve Librin, i cili është këshillë e lavdi për ju. Vallë, a nuk po kuptoni ju?