(24) Ata janë udhëzuar (në këtë jetë) kah fjala e mirë dhe janë udhëzuar në rrugën e Falenderuesit (Perëndisë).
(25) Me të vërtetë, ata që nuk besojnë dhe pengojnë njerëzit nga rruga e Perëndisë dhe Mesxhidil-haramit, të cilin Ne e kemi bërë të njëjtë për të gjithë njerëzit, si për vendasin ashtu edhe për atë që vie nga tjetër vend (vizitori), e kush synon të bëjë në të ndonjë shmangie me të keqe, Na do t’i japim të shijojë dënimin e dhembshëm.
(26) (Kujtoje, o Muhammed!) kur Na i patëm përgatitur Ibrahimit vendin e faltorës (duke i thënë): “Mos më përshkruaj Mua shok asgjë, dhe pastroje Shtëpinë Time për ata që e vizitojnë, që rrinë aty dhe që bëjnë namaz,
(27) dhe ftoi njerëzit në haxhillëk, do të vijnë ata ty – në këmbë dhe (duke shaluar) në çfarëdo deve; duke ardhur prej të gjitha viseve të largëta,
(28) që të prezentojnë në dobitë e tyre dhe të përmendin emrin e Perëndisë në ditët e njohura (të therrjes së kurbanit) – të shtazëve me të cilat i ka furnizuar Ai. E, hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër!
(29) Pastaj, le të heqin ndotësirat nga trupi i tyre dhe le t’i kryejnë zotimet e tyre dhe le të vizitojnë (le të sillen rreth e rrotull) Faltorës së lashtë (të nderuar).
(30) Këto (janë dispozitat). E, kush respekton dispozitat e Perëndisë, kjo është më mirë për të, te Zoti i tij, - e juve u janë lejuar (ngrënia) e kafshëve, përpos që u janë thënë juve (se janë të ndaluara). Andaj largohuni prej ndotësisë së idhujve dhe largohuni prej fjalëve të rrejshme