(16) Dhe, kështu, Na, ia kemi shpallur atij argumentet e qarta (Kur’anin) dhe Perëndia, me të vërtetë, e udhëzon në rrugë të drejtë kë të dojë.
(17) Me të vërtetë, ata që kanë besuar, dhe Hebrënjtë, Sabi’inët, të krishterët, Mexhust (adhuruesit e zjarrit) dhe ata që i bëjnë shok Atij, do t’i gjykojë drejtë Perëndia – në mes tyre, në Ditën e Kijametit. Me të vërtetë, Perëndia është dëshmitar për çdo gjë.
(18) A nuk po sheh ti, se, me të vërtetë, Perëndisë i bëjnë sexhde: ata që gjenden në qiej dhe ata që gjenden në Tokë, edhe Dielli edhe hëna, edhe yjët, edhe malet, edhe drunjtë edhe shtazët dhe shumë nga njerëzit, por shumë (njerëz) meritojnë dënimin. E, kë ta poshtërojë Perëndia, atë askush nuk mund ta bëjë të nderuar. Perëndia, me të vërtetë, punon çka të dojë.
(19) Këto dy tabore kundërshtarësh, grinden për Zotin e tyre. Ata që nuk kanë besuar, kanë rroba të prera prej zjarrit, e nëpër kokat e tyre do të hedhet ujë i vluar,
(20) do të shkrihen me të (me atë ujë) rropulitë (organet e brendshme) dhe lëkura,
(21) dhe për ta ka kamxhikë prej hekuri.
(22) Sa herë që përpiqen të dalin nga ai (zjarri), për shkak të brengosjes, do të kthehen në të (duke i rrahur me kamxhikë) dhe (u thuhet atyre): “Shijoni dënimin me djegëje të tmerrshme!”
(23) Me të vërtetë, Perëndia, i shpie ata, që besojnë dhe punojnë vepra të mira – në kopshtije, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Ata, do të stolisen me bylyzykë të artë dhe inxhi, e rrobat e tyre në të (xhennet), do të jenë prej mëndafshi.