(51) Na, ua dërgojmë atyre fjalët njërën pas tjetrës (Kur’anin), për t’u këshilluar ata.
(52) Atyre që Ne ua kemi dhënë Librin para tij (Kur’anit), ata i besojnë atij,
(53) dhe, kur t’ju lexohet atyre (Kur’ani), ata thonë: Ne e besojmë atë. Me të vërtetë, ai (Kur’ani) është (i zbritur) nga Zoti ynë. Na – edhe më parë kemi qenë muslimanë”.
(54) Atyre do t’u jepet shpërblimi i dyfishtë, meqë kanë duruar dhe që të keqen e kthejnë me të mirë – dhe ndajnë nga ajo që u kemi dhënë Ne;
(55) e kur të dëgjojnë ndonjë marrëzi, shmangen prej saj dhe thonë: “Veprat tona janë për ne e veprat tuaja janë për ju; paqa qoftë mbi ju (lamtumirë!) Na nuk duam shoqëri me të padishmit (xhahilat)”.
(56) Ti (o Muhammed), me të vërtetë, nuk mund ta udhëzosh (në formë imponuese) në rrugën e drejtë, atë që dëshiron ti, - por Perëndia e udhëzon (në të gjitha normat). Ai, i di më së miri ata që janë të udhëzuar.
(57) Dhe ata thonë: “Nëse ne – me ty ndjekim rrugën e drejtë (islamizmin), shpejt do të jemi të dëbuar nga vendlindja”. Vallë, a nuk u kemi dhënë rast Na – atyre, që të qëndrojnë në vendin e shenjtë dhe të sigurtë, ku – sillen frytet e llojllojshme – ushqim prej Nesh; por, shumica e tyre nuk e dinë.
(58) E, sa e sa fshatra e qytete i kemi zhdukur Ne, banorët e të cilëve kanë bërë jetë të shfrenuar! Ja, shtëpiat e tyre (të shkretëruara), të cilat, nuk janë banuar pas tyre – vetëm pak kohë, dhe Ne kemi qenë trashëgimtarë.
(59) Dhe, Zoti yt – kurrë nuk i ka shkatërruar vendbanimet, para se t’u dërgojë pejgamber në kryeqytetin e tyre, i cili ju ka treguar argumentet Tona. Dhe, Ne – kurrë nuk i kemi shkatërruar vendbanimet, por vetëm kur banorët e tyre kanë qenë zullumqarë.