(16) Por ju, përkundrazi, më shumë po e parapëlqeni jetën e kësaj bote,
(17) por, jeta tjetër është më e mirë dhe e përhershme (amshuar).
(18) Kjo, me të vërtetë, ka qenë shënuar në faqet (e librave) e broshurat e lashta,
(19) librat (broshurat) e Ibrahimit dhe Musait.
الغاشية Al-Ghaashiya
(1) A të ka arritur ty lajmi për fatkeqësinë e kaplueshme (të Kijametit)?
(2) Atë Ditë, fytyrat (e të këqinjve) janë të dëshpëruara,
(3) me punë të vështira e të rraskapitura,
(4) në zjarr të fortë do të digjen,
(5) e do të pinë nga burimet e vluara,
(6) kur tjetër ushqim për ta nuk do të ketë, përpos therrave,
(7) e ky (ushqim), as nuk do t’i trashë as nuk do t’i ngop (nga uria).
(8) Atë Ditë, fytyrat e disave (besimtarëve) do të jenë të gëzuara,
(9) të kënaqura për punët e bëra, -
(10) të vendosura në kopshtin madhështor,
(11) në të cilin nuk do të dëgjojnë fjalë boshe.
(12) Në të ka burime uji – rrjedhëse,
(13) në të ka divane të çmueshme,
(14) dhe kupa të përgatitura,
(15) dhe jastëk të renditur
(16) e shumë qilima të shtruar.
(17) Vallë, a nuk shohin ata se si është krijuar devja
(18) e si është ngritur qielli,
(19) dhe si janë vendosur malet,
(20) dhe si është shtrirë Toka?!
(21) Ti këshillo (njerëzit) – se ti je vetëm këshillues,
(22) ti nuk je mbi ta imponues (sundues)!
(23) E, përveç atyre që shmangën dhe nuk besojnë, -
(24) ata, Perëndia do t’i dënojë me mundimet më të mëdha.
(25) Ata, me të vërtetë, do të kthehen te Ne,
(26) dhe, me të vërtetë, do të japin llogari para Nesh!