(38) kur nënën tënde e frymëzuam me atë, që mund të arrihet vetëm me frymëzim:
(39) “Vendose atë (Musain) në sandëk e hudhe në lum (Nil), lumi e qet atë në breg, e që atë, do ta marr armiku i Im dhe armiku i tij”. Dhe, Unë kam hudhur në ty – dashurinë Time (për me të dashtë ty gjithkush), dhe që të rritesh nën mbikëqyrjen Time.
(40) Kur shkoi motra jote (në pallatin e Faraonit) e tha: “A doni t’ju tregoj unë juve atë që do të kujdeset për të?” Na, të kthyem ty te nëna jote që të gëzohet ajo dhe të mos pikëllohet më. Dhe ti e mbyte një njeri (pa qëllim), e Ne të shpëtuam ty nga brenga (e dënimit) dhe Ne të sprovuam ty me sprova të shumta. Dhe ti qëndrove me vite të tëra në mesin e banorëve të Medjenit, e pastaj, ti, erdhe, sipas dispozitës së caktuar, o Musa!
(41) Dhe, Unë të kam zgjedhur ty për Vete.
(42) Shko ti dhe vëllai yt me argumentet e Mia dhe mos u shkrehni në të kujtuarit Mua!
(43) Shkoni (ju të dy) te Faraoni! Ai, me të vërtetë, është azdisur nga të këqijat,
(44) e flitni atij fjalë të buta, që të këshillohet apo të frikësohet”.
(45) Ata thanë: “O Zoti ynë, na, me të vërtetë, druajmë se do të na dënojë menjëherë ai, ose do të azdiset më tepër”.
(46) (Perëndia) tha: “Mos u frikësoni! Unë me të vërtetë, jam me ju, dëgjoj dhe shoh”.
(47) Shkoni tek ai dhe i thoni: “Na dy jemi të dërguarit e Zotit tënd, lëshoji bijtë e Israelit që të vijnë me ne dhe mos i mundo ata! Na, të kemi sjellë ty argument nga Zoti yt. Qoftë i shpëtuar ai që ndjek rrugën e drejtë!
(48) Me të vërtetë, neve na është shpallur, se dënimi do ta godasë atë që e konsideron për gënjeshtër (shpalljen) dhe shmanget”.
(49) (Faraoni) tha: “E, kush është Zoti juaj, o Musa?”
(50) (Musai) tha: “Zoti ynë është ai që çdo gjëje i ka dhënë formën e vet e pastaj i ka udhëzuar (në përdorimin e tyre).
(51) (Faraoni) tha: “Si është gjendja e popujve të mëparshëm?”