(99) Kështu pra, Na ty (o Muhammed) t’i tregojmë disa lajme (për atë) që kanë kaluar, dhe ta kemi, dhënë ty Kur’anin – prej anës Sonë.
(100) Kush shmaget nga ai (Kur’ani), ai në Ditën e Kijametit, do të bartë ngarkesë të rëndë (dënim),
(101) përherë do të mbetet (duke bartur atë). Sa barë e shëmtuar që është ajo në Ditën e Kijametit,
(102) në Ditën kur do të fryhet në Sur. Atë ditë do t’i tubojmë mëkatarët duke qenë syzgurdulluar,
(103) dhe njëri-tjetrit do t’i pëshpërisin (duke thënë): “Ju keni qëndruar (në të kaluarën) vetëm dhjetë ditë”.
(104) Na dimë më së miri se çka do të thonë ata (në Ditën e Kijametit), kur më i mençuri nga ata, thotë: “Ju keni qëndruar vetëm një ditë”.
(105) Dhe, të pyesin ty (o Muhammed) për malet (çka do të bëhet me to në Ditën e Kijametit). Thuaj: “Do t’i copëtoj krejtësisht Zoti im,
(106) e toka do të bëhet fushë e rrafshët,
(107) nuk do të shohësh në të (tokë) as lugina as brigje”.
(108) Atë ditë, ata do të shkojnë pas thirrësit, duke mos pasur shmangie në të, e zërat do t’i përulen Mëshiruesit të Gjithmbarshëm, e ti nuk do të dëgjosh tjetër, pos pëshpëritjes.
(109) Atë ditë, nuk do të bëjë dobi ndërmjetësimi i askujt, përveç ndërmjetësimit të atij, që i jep leje Mëshiruesi dhe që është i kënaqur me fjalët e tij.
(110) Ai di ç’ka para tyre dhe ç’ka pas tyre; e ata, nuk mund ta ngërthejnë dijeninë e Perëndisë – me dijeninë e tyre.
(111) Fytyrat (e njerëzve) do t’i përulen (Perëndisë) të Gjallit, të Amshueshmit (Mbikëqyrësit të Gjithësisë). Do të humbë ai që ka ngarkuar të keqen (që i ka bërë shok Perëndisë),
(112) e ai që punon vepra të mira dhe është besimtar, nuk do të druajë nga padrejtësia (shtimi i dënimit), as nga të manguarit (e shpërblimit).
(113) Dhe kështu Ne, e kemi zbritur Kur’anin në gjuhën arabe, dhe në të kemi përsëritur vërejtjet, që ata të ruhen nga mëkatet, ose që t’i orientojë ata në këshillim.