(37) njerëzit, të cilët shitblerja nuk i pengon në të përmendurit e Perëndisë dhe të cilët bëjnë namazin dhe japin zeqatin, dhe të cilët druajnë nga Dita, në të cilën zemrat dh shikimet janë të shqetësuara,
(38) (e lavdërojnë Perëndinë) që Perëndia t’i shpërblejë ata me dhuratat më të mira për atë që kanë punuar, e që t’jua shtojë atyre dhuntinë e Tij. E, Perëndia e furnizon kë të dojë, pa llogari.
(39) E, veprat e atyre që nuk besojnë, janë si mjegullirë (fatamorgana) në rrafshirë, të cilën, i etshmi e konsideron ujë, por kur të arrijë tek ai vend, nuk gjen asgjë, - e do të hasë në dënimin e Perëndisë dhe Ai ia paguan llogarinë e tij, se Perëndia është llogaritës i shpejtë,
(40) ose (veprat e tyre) jnë si errësirat në detin e thellë, të cilat i mbulon dallga pas dallgës, mbi të cilat gjenden rëtë, errësira – njëra mbi tjetrën, aq sa dorën e vet (kur ta zgjatë njeriu) gati mos ta shohë. Kujt mos t’i japë Perëndia dritë (udhëzim), nuk do të ketë (kurrfarë) dritë për të.
(41) A nuk e vëren ti, se – Perëndinë, me të vërtetë, e lavdërojnë (të gjithë) ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, e madje edhe shpezët duke i hapur krahët e tyre, gjatë fluturimit, Ai (Perëndia) di lutjen dhe lavdërimin e çdonjërit (nga ata). Perëndia, di për atë që punojnë ata.
(42) Vetëm të Perëndisë janë pushteti i qiejve dhe i Tokës dhe tek Ai kthehet çdo gjë.
(43) A nuk e vëren ti, se Perëndia i shtyan ngadalë retë, e pastaj i bashkon e i grumbullon njërën mbi tjetrën, e ti sheh shiun se si del nga mesi i tyre dhe bie nga qielli; Ai, prej reve të mëdha si mali, lëshon breshërin, e me të e godit kë të dojë, kurse e shmangë prej kujt të dojë. Shkëlqimi i vetëtimës së tij – gati t’i merr sytë.