(54) Thuaj: “Përuljuni Perëndisë dhe përuljuni Pejgamberit!” E, nëse shmangeni, vetëm (Muhammedi) është përgjegjës për atë që është i obliguar; e ju jeni përgjegjës për atë që jeni ngarkuar. E, nëse i përuleni atij, do të jeni në rrugën e drejtë; - e Pejgamberi vetëm është i detyruar që t’ju shpallë qartazi.
(55) Perëndia, u ka premtuar disave prej jush, që kanë besuar dhe që punojnë vepra të mira – se do t’i bëjë sundimtarë në Tokë, ashtu, si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur, dhe që do t’ua shndërrojë atyre – pas frikës, sigurinë. Ata, më adhurojnë Mua, e nuk më bëjnë shok asgjë. E, kush bën mohim pas kësaj, ata janë ngatërrestarë të vërtetë.
(56) Dhe, kryeni namazin, jepni zeqatin dhe përuljuni Pejgamberit, për të fituar mëshirën e Perëndisë!
(57) Kurrsesi mos mendo, se mohuesit do ta bëjnë të pamundshëm (dënimin nga ana e Perëndisë) në Tokë! E, strehimi i tyre është zjarri, e sa vend kthimi i shëmtuar që është ai!
(58) O besimtarë! Le të kërkojnë leje ata që janë nën pushtetin tuaj (në familje) dhe ata nga ju, të cilët nuk e kanë arritur moshën e pjekurisë në tri raste: para namazit të sabahit dhe kur i zhveshni rrobat tuaja në mesditë dhe pas namazit të jacisë. Këto janë tri kohë kontestuese (jo të përshtatshme). Nuk jeni as ju, as ata – mëkatarë, pas këtyre kohëve, (nëse hyni pa leje) duke u takuar njëri me tjetrin. Kështu, ua shpjegon Perëndia dispozitat juve! Perëndia, është i Plotëdijshëm dhe i Gjithëdijshëm.