النور An-Noor
(1) (Ky është) kapitulli, të cilin Ne e kemi shpallur dhe caktuar (dispozitë). Dhe, kemi shpallur në të argumentet e qarta për t’u këshilluar ju.
(2) Kurvën dhe kurvarin rr5ihnie çdonjërin prej tyre me nga njëqind goditje. Mos t’ju kaplojë juve ndaj tyre kurrfarë mëshire (në kryerjen) e dispozitave fetare, nëse besoni Perëndinë le të prezentojnë në dënimin e tyre një grup besimtarësh.
(3) Kurvari mund të martohet vetëm me kurvën apo idhujtaren, kurse kurvën mund ta marrë për grua vetëm kurvari apo idhujtari, e kjo (kurvëria – martesa me kurvat), është e ndaluar për besimtarët.
(4) Ata që i fajësojnë gratë e ndershme (për kurvëri), e nuk i sjellin katër dëshmitarë, rrihnie me tetëdhjetë goditje dhe mos pranoni më kurrë të dëshmuarit e tyre, këta janë njerëz ngatërrestarë,
(5) pos atyre, që pas kësaj pendohen dhe përmirëzohen. Me të vërtetë Perëndia është falës dhe mëshirues.
(6) E, ata që i fajësojnë gratë e tyre (për kurvëri), duke mos pasur dëshmitar përpos vetes, do të vërtetojnë dëshminë e tyre me betim në Perëndinë – katër herë, që me siguri thotë të vërtetën.
(7) (Betimi) i pestë është të ndjellë mallimin e Perëndisë ndaj vetes, nëse ai ka gënjyer.
(8) E, ajo do të kursehet nga dënimi, nëse katër herë betohet në Perëndinë, se ai (burri i saj), me të vërtetë, është, nga gënjeshtarët,
(9) e (betimi) i pestë është të ndjellë zemrimin e Perëndisë ndaj vetes, nëse ai (burri i saj) ka thënë të vërtetën.
(10) Dhe sikur të mos ishte mirësia e Perëndisë ndaj jush dhe mëshira e Tij, dhe Perëndia (të mos ishte) Ai që pranon pendimin dhe i Gjithëdijshëm, (do t’ia shpejtonte dënimin mëkatarit – me demaskimin e tij).