(55) Atë ditë, me të vërtetë, banorët e Xhennetit janë të angazhuar me kënaqësi,
(56) ata dhe gratë e tyre janë në hije (fllade), të mbështetur në kolltuqe,
(57) në të (xhennet) – për ta, ka pemë dhe çdo gjë që dëshirojnë.
(58) “Selam!” – (përshëndetën ata) me fjalë prej Zotit Mëshirues, -
(59) (u thuhet): “e veçohuni sot ju, o mëkatarë!”
(60) Vallë, a nuk ju kam urdhëruar, o bijtë e Ademit, që të mos e adhuroni djallin, se ai, me të vërtetë, është armik i përbetuar i juaji,
(61) por vetëm Mua më adhuroni! Kjo është rrugë e drejtë.
(62) Ai (djalli), me të vërtetë, ka humbur shumë grupe njerëzish prej jush, e vallë, a nuk keni menduar!
(63) (U thuhet atyre): “Ky është xhehennemi, që u është premtuar,
(64) kalluni (digjuni) tani në të (xhehennem), ngase nuk keni besuar!”
(65) Sot, Ne do t’u vulosim gojët e tyre, e do të flasin duart e tyre dhe do të dëshmojnë këmbët e tyre për atë që kanë fituar.
(66) Sikur të donim Ne, Ne do t’ju vërbonim sytë atyre duke ua rrafshur fytyrën, e ata do ta kërkonin rrugën; po, vallë si do të shihnin?
(67) Dhe, sikur të kishim dashur, Ne do t’i kishim shndërruar ata (prej krijese njerëzore në krijesa tjera) në atë moment, e ata nuk do të mund as të shkonin e as të ktheheshin.
(68) Kujt i japim jetë të gjatë, Na ia ndryshojmë strukturën e tij. E, vallë, a nuk kuptojnë ata?
(69) Na, atij (Muhammedit) nuk ia mësuam poetikën, e as që ajo është për te. Këtë (që e ka sjellë) është vetëm këshillë dhe Kur’ani i qartë,
(70) për ta paralajmëruar atë që është i gjallë (i mençur), dhe për t’u realizuar fjala (dënimi) ndaj mohuesve.